Fondi për kompensimin e pronave dyfishohet, 5.3 miliardë lekë deri në vitin 2028
Qeveria parashikon rritje të fortë buxhetore për Shërbimin e Kthimit dhe Kompensimit të Pronave, me synim mbylljen përfundimtare të procesit.
Rritje e ndjeshme në buxhetin afatmesëm
Në projektbuxhetin afatmesëm 2026–2028, qeveria ka planifikuar një rritje të konsiderueshme të fondit për Shërbimin e Kthimit dhe Kompensimit të Pronave, duke e çuar këtë zë në nivele gati dy herë më të larta krahasuar me vitin 2025. Sipas tabelës zyrtare të shpenzimeve buxhetore sipas programeve, fondi parashikohet të rritet nga 2.4 miliardë lekë në vitin 2025 në 5.3 miliardë lekë në vitin 2028.
Rritje graduale, por me efekt të fortë
Financimi do të rritet në mënyrë progresive përgjatë tre viteve. Për vitin 2026 janë parashikuar 2.3 miliardë lekë, ndërsa në vitin 2027 fondi dyfishohet duke arritur në 5.3 miliardë lekë, nivel që ruhet edhe për vitin 2028. Kjo do të thotë se buxheti për kompensimin financiar të ish-pronarëve jo vetëm rritet ndjeshëm, por vendoset në një nivel të qëndrueshëm financimi deri në përmbylljen e procesit.
Mijëra dosje ende në pritje
Të dhënat zyrtare tregojnë se në fillim të vitit 2025, Agjencia e Trajtimit të Pronave kishte në shqyrtim 7 059 dosje dhe praktika, ndërsa vetëm 115 prej tyre kishin përfunduar me vendim, ose rreth 1.6 për qind e totalit. Afati mesatar për trajtimin e një dosjeje vlerësohet nga tre deri në gjashtë muaj, pa përfshirë rastet kur çështjet zvarriten për shkak të proceseve gjyqësore paralele.
Afatet ligjore deri në vitin 2028
Ndryshimet ligjore të bëra në ligjin nr.113/2015 kanë zgjatur afatin e shqyrtimit administrativ të dosjeve deri në dhjetor 2027, ndërsa shpërndarja e kompensimeve financiare parashikohet të përfundojë deri në vitin 2028. Rritja e fortë e fondeve në këtë periudhë synon të përshpejtojë procesin dhe të reduktojë stokun e dosjeve të mbartura prej vitesh.
Një nga detyrimet më të mëdha të shtetit
Në thelb, dyfishimi i buxhetit për kompensimin e pronave deri në vitin 2028 konfirmon se çështja e pronës mbetet një nga problematikat më të mëdha dhe më të vjetra të pazgjidhura të shtetit shqiptar. Angazhimi financiar i parashikuar në projektbuxhet sinjalizon synimin për t’i dhënë fund një procesi që ka rënduar për dekada marrëdhënien mes shtetit dhe ish-pronarëve.